Informacion

Te Drejtat dhe Detyrimet e Përmbaruesit dhe të klientit te tij

Këto detyrime rrjedhin nga K.C, K.P.C, ligji Nr. 10 031, datë 11.12.2008 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, urdhrit nr.3851, datë 08.5.09 “Për miratimin e Kodit të Etikës të Përmbaruesve Gjyqësorë shtetërorë dhe privatë” të Ministrit të Drejtësisë.

Më konkretisht disa nga principet bazë:

Përmbaruesi gjyqësor privat ka të drejtë:

  • të pranojë lirisht kërkesat e subjekteve fizike apo juridike për ekzekutimin e titujve ekzekutivë, me përjashtim të rastit kur konstaton se është në situatën e konfliktit të interesit
  • të kërkojë, kur e konsideron të nevojshme për veprimtarinë e tij procedurale, çdo informacion, që ka të bëjë me gjendjen pasurore të debitorit apo vendndodhjen e tij, të nevojshëm për procedurat e ekzekutimit, nga institucione shtetërore, persona juridikë apo fizikë, në përputhje me ligjin
  • të ketë mbështetjen e forcave të rendit, kur e çmon të domosdoshme, gjatë procedurave të ekzekutimit
  • të zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën e lidhur me palën kreditore, kur kjo e fundit nuk përmbush detyrimet e veta
  • të aplikojë sanksionet e parashikuara në ligj, ndaj subjekteve fizike apo juridike, që pengojnë në mënyrë të paligjshme procedurën e ekzekutimit.

Përmbaruesi gjyqësor privat ka për detyrë:

  • të veprojë me ndershmëri, paanësi, profesionalizëm dhe kurdoherë në interes të palës kërkuese, pa cenuar në mënyrë të paligjshme të drejtat dhe interesat e palës tjetër
  • të zbatojë me përpikmëri dispozitat e Kodit të Procedurës Civile dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore
  • të kryejë për subjektet fizike ose juridike veprimet e nevojshme, që synojnë realizimin e së drejtës së tyre dhe mbrojtjen e interesave të tyre të ligjshëm
  • të informojë për çdo veprim procedural palët në proces ekzekutimi, si dhe të japë sqarimet e nevojshme për veprimet e kryera
  • të këshillojë palën kreditore për pasojat juridike, që rrjedhin nga veprimet procedurale, me qëllim që të mos dëmtohen interesat e tyre
  • të ruajë sekretin profesional dhe të mos zbulojë të dhëna, që i kanë mësuar gjatë veprimtarisë së tyre profesionale ose nga dokumentet, që i janë vënë në dispozicion nga palët në proces ekzekutimi, përveç kur dhënia e këtij informacioni është detyrim ligjor
  • të sigurojë pranë një shoqërie sigurimi veprimtarinë e tij profesionale
  • të mbajë regjistrin, në përputhje me dokumentacionin standard, të miratuar nga Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, ku evidentohen të gjitha aktet dhe veprimet procedurale të kryera gjatë veprimtarisë së ekzekutimit
  • të derdhë në mënyrë të rregullt detyrimet tatimore
  • të marrë masat dhe veprimet e nevojshme për ekzekutimin e titullit ekzekutiv, në respekt të dinjitetit njerëzor, duke vënë në balancë nevojat e debitorëve dhe interesat e kreditorëve

Të drejtat e kreditorit

Kreditori ka të drejtë:

  1. Të kërkojë informacion në çdo kohë kundrejt kërkesës për informim, lidhur me ecurinë e ekzekutimit të titullit ekzekutiv.

  2. Të kërkojë pranë Shoqërisë Përmbarimore/ Përmbaruesit Gjyqësor Privat, në çdo kohë që e shikon të arsyeshme, pezullimin, moskryerjen e një veprimi të caktuar, etj.

  3. Të kërkojë kthimin e shumave të parapaguara në llogarinë e Shoqërisë Përmbarimore/ Përmbaruesit Gjyqësor Privat, në përputhje me paragrafin e parë, të nenin 41 dhe nenin 43 të Ligjit Nr. 10031, datë 11.12.2008, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”.

Detyrimet e kreditorit

Kreditori merr përsipër detyrimet e mëposhtme:

  1. Të parapaguajë sipas kërkesës së Përmbaruesit Gjyqësor në llogarinë e Përmbaruesit Gjyqësor Privat, tarifat dhe shpenzimet që janë të domosdoshme për kryerjen e veprimeve përmbarimore.

  2. Të japë të gjithë informacionin që ka për debitorin ose persona të tretë, për t’i ardhur në ndihmë Përmbaruesit Gjyqësor në momentin e ekzekutimit të titullit ekzekutiv.

  3. Të paraqitet pranë përmbaruesit gjyqësor për të deklaruar ekzekutimin ose mosekzekutimin e titullit ekzekutiv, menjëherë mbasi ka kaluar afati i ekzekutimit vullnetar.

  4. Të paraqitet pranë organeve gjyqësore dhe institucioneve publike/private sa herë që kërkohet prezenca e tij nga Përmbaruesi Gjyqësor Privat.

  5. Të paraqitet në afatin e duhur ose të marrë përsipër kryerjen e një veprimi të caktuar, në rast se i kërkohet nga ana e Shoqërisë Përmbarimore/ Përmbaruesit Gjyqësor Privat

  6. Të nënshkruajnë procesverbalet që dokumentojnë veprimet përmbarimore nga Shoqëria Përmbarimore/ Përmbaruesi Gjyqësor Privat, të cilat pasqyrojnë realitetin dhe janë hartuar në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke pasur të drejtë të shënojë në të edhe vërejtjet/kundërshtimet që ai ka.

  7. Të mbajë marrëdhënie të mira dhe korrekte me Përmbaruesin Gjyqësor Privat.